Limaj e sheh Xhemajlajn fitues në zgjedhjet e ardhshme

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, është deklaruar për zgjedhjet në Drenas.
Njësoj si bashkëpartiakët e tij sonte pas rezultatit të zgjedhjeve, edhe Limaj ka thënë se për fitoren e Lladrovci u angazhua gjithë aparati shtetëror.
Ka falënderuar ata që u angazhuan për fitore të kandidatit të partisë së tij, Isa Xhemajlajn, të cilin e sheh fitues në zgjedhjet lokale që mbahen në gjithë Kosovën më 2017.
Kjo është deklarata e plotë e Limajt:
Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të NISMA-së në Drenas dhe ju qytetarë të Drenasit.
Dua të ju shprehi gjithë mirënjohjen dhe falënderimin tim dhe kryesisë së Nisma për Kosovën, për gjithë angazhimin dhe punën që keni bërë për këto gjashtë javë, duke dërguar frymën e ndryshimit në çdo lagje e fshat të komunës së Drenasit.
Ju me zemër nuk kursyet as kohën, as energjinë për ta bërë kryetar, Isa Xhemajlin dhe për të sjellë ndryshimin e nevojshëm në Drenas. Pavarësisht vështirësive që u ballafaquat ju përball krejt aparatit shtetëror, ju keni vënë vullnetin tuaj për të ndryshuar qeverisjen në Drenas. Ju jeni bartësit e fitores demokratike që për herë të parë ja sollët Drenasit, dhe tanimë Drenasi nuk është bastion i askujt.
Ne me Isa Xhemajlin do të vazhdojmë për ta ndryshuar qeverinë pas disa muajve edhe më të vendosur, edhe më të përgatitur deri në fitore. Kjo punë e juaja ishte një hap i madh drejt qëllimit tonë.
Falënderoj të gjithë qytetarët që sot votuan për Isa Xhemajlin, simbolin e ndryshimit në Drenas.