Lladrovci premton zgjidhje për stacionin e autobusëve dhe tregjet në Drenas e Komoran
Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, RamizLladrovci, në kuadër të shpalosjes së programit të tij të përgjithshëm para qytetarëve të Drenasit, sot ka prezantuar programin për shërbimet publike.
Përveç finalizimit të projekteve të miratuara në asamblenë komunale, Lladrovci ka thënë se prioritet i tij për vitin 2017 është edhe zgjidhja e çështjes së Stacionit të Autobusëve, me qëllim të funksionalizimit të shërbimit të transportit publik dhe sjelljes së të mirave materiale për buxhetin e komunës.
“Do t’i rregullojmë edhe vendet e pritjes për udhëtarët e autobusëve”, ka shtuar ai.
Lladrovci ka premtuar se do ta ndërtojë edhe mbikalimin te Korrotica e epërme, se do ta funksionalizojë tregun ditor në Drenas dhe do ta zgjidhë edhe çështjen e tregut të gjelbër në Komoran.
Edhe zjarrfikësve të Drenasit, Lladrovci u ka premtuar se do t’ua barazojë pagat me kolegët e tyre në Kosovë.
Ndërsa, si prioritete të tjera, ai ka përmendur edhe sigurimin e hapësirave të reja për parkingje, ndryshimin e kaheve të disa rrugëve brenda qytetit, vendosjen e disa semaforëve në qytet, shënjimin dhe ruajtjen e pronës publike, si dhe bashkëpunimin me organet e rendit dhe rritjen e sigurisë nëpër shkolla.
Kandidati i PDK-së për të parin e Drenasit ka treguar se do të vazhdojë me vendosjen e kamerave në qendër të qytetit dhe ka premtuar edhe realizimin e projektit për trajtimin e qenve endacakë.
Kjo drejtori, sipas tij, për vitin 2016 ka pasur buxhet për projektet kapitale në vlerë prej 352 mijë euro, kurse mirëmbajtja e hapësirave publike, përfshirë sheshin dhe parkun e qytetit, rrugët gjatë sezonit veror dhe dimëror, ndriçimi i qytetit, mirëmbajtja e kanalizimeve dhe gropave septike, si dhe rregullimi i varrezave kanë qenë përgjegjësitë kryesore të saj.
Këtë vit, Lladrovci ka thënë se komuna ka ndarë buxhet edhe për heqjen e shpenzimeve të varrimit për qytetarët, me qëllim të lehtësimit të shpenzimeve për familjarët.
“40 mijë euro është buxheti i miratuar për heqjen e shpenzimeve të varrimit”, ka thënë Lladrovci.