“Ndërtimi i murit është bërë me dijeninë e qeverisë”

Qeveria e Kosovës ka qenë në dijeni për ndërtimin e murit dhe ndërtimi i murit në veri është bërë si rezultat i marrëveshjeve mes palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel. Kështu po vlerëson njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku.
Ky i fundit në një prononcim për ‘Indeksonline’, shprehet i bindur se muri në veri nuk do të mund të ndërtohej pa dijeninë kosovare.
“Qysh e kanë dhënë lejen nuk e di, këta nuk e kanë bërë transparente marrëveshjen. Përndryshe pa një marrëveshje, qeveria deri tash do ta kishte rrënuar atë mur. Sikur secili qytetar i Kosovës që ndërton diçka pa leje e institucionet shkojnë më bagera ja rrënojnë kështu do të duhej të ndodhte edhe me murin”, ka thënë Maloku.
Ai ka kërkuar nga qeveria qe të deklarohet për këtë marrëveshje dhe të jetë me transparente në raport me qytetarët, duke shtuar se çështja e murit nuk mund të zgjidhet me tensione.
“Krejt kjo lidhet me mungesë të transparencës në dialog me Serbinë. Qytetarët e Kosovës i kanë votuar këto parti dhe kush ka me ngritë tensione. Këta janë zëri i qytetarëve”, ka shtuar Maloku.
Eksperti i çështjeve të sigurisë, e ka kritikuar qëndrimin e kryeministrit në lidhje me murin. Ai është shprehur kritik edhe për formën e komunikimit qe Mustafa po e bën nëpërmjet ‘Facebookut’.
Një ditë më parë kryeministri Mustafa kishte goditur keq kundërshtarët e tij politikë për çështjen e murit. Ai në llogarinë e tij në ‘Facebook’, kishte shkruar se ndërtimi i murit po shfrytëzohet edhe për krekosje politike nga disa këndesa.
“Gjelat nuk e rrënojnë murin, ata këndojnë mbi mur. Murin e trajton dhe e rrënon ligji”, kishte shkruar ndër të tjera Mustafa në Facebook./Indeksonline/
