Brovina refuzon të dëshmojë, gjyqtari thotë se mund të sillet me forcë

Seanca e paraparë të mbahet sot për deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, është shtyrë për shkak të mungesës së deputetëve Albin Kurti e Albulena Haxhiu.
Ndërsa, në rolin e dëshmitares ka munguar deputetja e PDK-së, Flora Brovina, për të cilën gjyqtari ka thënë se do të lëshohet urdhër për sjellje me detyrim.
Në një prononcim për “Indeksonline”, Brovina ka thënë se nuk e ka parë të arsyeshme për të dëshmuar lidhur me diçka që tashmë e ka parë krejt bota.
“Kam pasur obligime dhe të drejtën, nuk e kam preferuar që të jem dëshmitare. Krejt bota ka parë gjithçka dhe nuk kam nevojë edhe një herë të dëshmojë diçka”, ka thënë ajo.
Brovina është shprehur se nuk do të marrë pjesë as seancën e ardhshme që pritet të mbahet më 20 shkurt të vitit 2017, duke shtuar se nuk ka çka të dëshmojë më tepër.
Ndryshe, në këtë seancë të pranishëm sot ishin vetëm deputetët e Vetëvendosjes, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli, si dhe deputetja e PDK-së si palë e dëmtuar, Blerta Deliu-Kodra.