PDK “zbulon” arsyen e dështimit në Drenas, ka disa akuza për NISMA-n dhe Xhavit Drenorin
Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar oponentët e saj për kryetar të Drenasit, se të njëjtit, kanë tubuar vota duke u thirrur në emër të partisë së tyre dhe presidentit të vendit, Hashim Thaçi. Kështu ka deklaruar në një intervistë për “Indeksonline”, deputeti nga rajoni i Drenicës, Shaip Muja.
Ai thotë se kandidati nga NISMA, Isa Xhemajli dhe Xhavit Drenori kanë përdorur elektoratin e PDK-së për të arritur deri në balotazh.
“Mendojë se ne i kemi arritur të gjitha votat e tona mirëpo disa kandidatë kanë spekuluar në emër të PDK-së, siç është z.Isa Xhemajli si dhe Xhavit Drenori. Ata kanë përdorur elektoratin tonë duke spekuluar se kanë marrëveshje edhe me ish-liderin e PDK-së. Elektorati them se ka në një mënyrë ka qenë i hutuar”, ka thënë ai.
(Foto: Shaip Muja gjatë zgjedhjeve të 4 dhejtorit)
Megjithatë, Muja thekson se në zgjedhjet e 18 dhjetorit do të jetë përgjigjja e saktë e elektoratit dhe bastioni i PDK-së, Drenica, do të rikthehet në pozicionin e njëjtë siç ka qenë.
Më tej, ai tregon se partia e cila udhëhiqet nga Kadri Veseli deri më tash nuk ka arritur asnjë koalicion parazgjedhor për garën e balotazhit ndërmjet Ramiz Lladrovcit dhe Isa Xhemajlit.
“Unë s’kam asnjë informacion për bashkëpunim me partitë tjera por ne kemi koalicion me qytetarët e Drenasit. Ne kemi punuar dhe dihet se struktura jonë politike ka punuar me përkushtim të madh për Drenicën. Prej marrjes së pushtetit në qeverisjen e PDK-së nga 2008-ta ka filluar zhvillimi në këtë pjesë”, ka thënë Muja.
Në fund, deputeti i Kuvendit ka dhënë edhe një porosi për rivlat e tij politik në komunën e Drenasit.
“Ata të cilët mendojnë që do ta bëjnë ndryshe gabojnë sepse 70 vite nuk është ndërtuar në Drenicë dhe normal se nuk është ndërtuar ende komplet infrastruktura, kanalizimi, ndriçimet; janë ato që nuk mund të bëhen brenda ditës dhe një kohe të shkurtër”, është shprehur ai.