Isa Xhemajlaj tregon “formulën” për fitoren në Drenas
Përderisa kandidati për kryetar në Komunën e Drenasit, Ramiz Lladrovci ka deklaruar se do shkojë i vetëm në zgjedhjet e balotazhit, kandidati nga radhët e Nisma për Kosovën, Isa Xhemajlaj ka deklaruar se tashmë është në bisedime me disa nga partitë për të marrë mbështetjen e tyre në garën zgjedhore të balotazhit.
Për Indeksonline, Xhemajlaj tregoi se është duke zhvilluar takime me AKR-në, Fjalën dhe partitë e tjera dhe beson që ato do e mbështesin në këto zgjedhje.
“Jemi në bisedime me AKR-në, Fjalën dhe të tjerët për të më mbështetur mua në këtë garë zgjedhore dhe besoj në mbështetjen e tyre në qoftë se vërtet ata kanë pasur qëllim ndryshimin në Drenas”, ka thënë Xhemajlaj.
Sa i përket deklarimeve të PDK-së se ata do jenë fitues, kandidati i Nismës thotë se beson fuqishme në 55 përqindëshin e votave të qytetarëve që kanë votuar kundër pushtetit që ka qenë deri më tash në Drenas.
“Ata e kanë festuar fitoren edhe një natë para mbajtjes së zgjedhjeve në Tërstenik. E kanë festuar fitoren edhe natën e zgjedhjeve, por gjithashtu nuk fituan. Unë kam hyrë në garë për të fituar dhe faktikisht qytetarët e Drenasit më kanë vë mu përpara për të marrë fitoren. Besoj shumë në 55 përqindëshin e votave të qytetarëve të Drenasit që kanë votuar kundër këtij pushteti që është tani në Drenas”, ka shtuar ai.
Në zgjedhjet e datës 4 dhjetor PDK dhe NISMA kanë shkuar në balotazh, pasi asnjëra nga këto parti nuk pati më shumë 50 përqind të votave. KQZ ka shpallur 18 dhjetorin datën kur do të mbahen këto zgjedhje të balotazhit.