Mustafa, kandidatëve për kryetar të Drenasit: Mos u merrni me të kaluarën – shpalosni planet tuaja
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook në lidhje me zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas. Ai ka ftuar që të jenë zgjedhje demokratike, ku shpalosen vlerat demokratike e jo të merren me të kaluarat e kandidatëve. Mustafa shton se zgjedhjet do të jenë të rregullta, pasi janë dëshmuar të menaxhojnë zgjedhje “fair”.
Postimi i plotë i Mustafës:
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas janë një arsye edhe më shumë që ta bëjmë reformën zgjedhore për të zgjidhë rastet e tilla, dhe më pak janë një demonstrim i fuqisë politike për një mandat të mbetur më pak se një vit.
Sidomos kur dihet fakti se kryetarit të deritanishëm nuk iu dha mundësia që për mandatin e tij të vendosin qytetarët, por vendosi gjykata për një rast që nuk ka të bëjë me të qeverisurit.
Prandaj është e rrugës që të zhvillojmë një fushatë e cila shpalosë vlerat demokratike të të gjitha partive dhe të gjithë kandidatëve. Kandidatët kanë mjaftë hapësirë demokratike për të thënë dhe për të shpalosë ofertat e tyre për të ardhmen.
Nuk shoh arsye të merremi me të kaluarën, sepse ajo nuk iu ndihmon qytetarëve në përmirësimin e jetës së tyre.
Unë besoj se mund të organizojmë një proces të rregullt zgjedhor në Drenas, sepse kemi dëshmuar se kemi mundësi të menaxhojmë zgjedhje fer.