Tomë Gashi tregon pse hynë hajnat në shtëpinë e kryeprokurorit Lumezi
Avokati Tomë Gashi, teksa ka folur për plaçkitjen në shtëpinë e kryeprokurorit të Republikës, Aleksander Lumezi, ka konkluduar se ky rast kishte një mesazh nga hajnat të cilët ende nuk janë identifikuar.
“Nëse janë hajna, e që mund edhe mos të jenë, dhe hynë në shtëpinë e kryeprokurorit të Shtetit derisa ai është i mbrojtur prej Policisë të cilin 24 orë e ruajnë atë dhe kanë qenë para shtëpisë së tij atëherë, besojë se siguria në Kosovë është shumë e cenueshme. Por nuk dihet ende se çfarë ka ndodhë atë natë, përveç që ai ka deklaruar se i është vjedh një telefon”, është shprehur Gashi për “Indeksonline“.
Sigurisht se vjedhja e telefonit, sipas Gashit, ka qenë vetëm mesazh mirëpo atë duhet ta vërtetojë hetuesia.
Megjithatë, avokati kosovar thotë se kryeprokurori duhet të deklarohet se si e konsideron rastin që i ka ndodhur atij dhe çfarë masa duhet të ndërmerreshin për ta mbrojtur atë dhe familjen e tij pasi ai ka njërën prej punëve më të rëndësishme në Republikën e Kosovës.
“Po, rreth orës 03:10 minuta kanë hyrë persona të panjohur derisa ne kemi qenë në gjumë dhe i kanë vjedh disa sene jorelevante”, ka thënë ai. Një telefon dhe disa gjëra tjera i kanë marrë, telefoni ka qenë i imi. S’kam dyshime të ndokush, a kanë qenë hajna apo çfarë kanë qenë. I kanë thyer dy dyert, policia ka qenë përpara aty, s’ka qenë aq lehtë me hy por shohim”, kishte deklaruar Lumezi.