Kryeprokurorin e shtetit nuk e “vizituan” hajnat e pulave !

Mesazhi i sulmuesve të kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit, ishte kërcenimi me likuidim, ta trembin, që të mos i prek “grerëzat me krande”, se ndryshe e vrasin në gjumë. Si Lumezi, para nëntë vitesh e pësoi edhe paraardhësi i tij Hilmi Zhitia, por shtëpinë e këtij të dytit e “vizituan” hajnat e pulave. Kur sulmohet “shteti”, çfarë sigurie kanë qytetarët e rëndomtë ?

Mbitoka, jo nëntoka, kreu operacionin e një grabitjeje të pazakontë. Hallakati “shtetin”, kryeprokurorin e Republikës së Kosovës, Aleksandër Lumezin, në kohën kur ai gjendej në gjumë.

Drama në disa akte, si në filmat e Alfred Joseph Hitchcockut, ndodhi në errësirë, pak minuta pas orës 3:00, të martën. Po këtë ditë, shteti reagon shpejt, dy policët “jovigjilentë”, njëri mbikqyrës e tjetri zyrtar i lartë, i suspendojnë nga puna.

Policia po i bën hetimet kush ka mundur të hyjë në pallatin e Lumezit, që gjendet në Prishtinë, rrugën “Xhevat Qena”.

Sulmuesit në pallatin e Lumezit ndër të tjera i morën edhe telefonin e tij personal.

Kush mund të jenë “zogjtë e natës” ?

Ata janë të mbitokës, kapësit e shtetit.

Natën e 22 nëntorit 2016, Lumezi nuk do ta harrojë.

Pikësynim i tyre ishte mesazhi, kërcënimi me jetë, ta trembin kryeprokurorin sipas asaj: Ke mendjen, hiq dorë nga akuzat në procesin…, ndryshe të vrasim edhe në gjumë”.

Mbeti enigma. E kishte zënë gjumi policin mbikqyrës, apo ai ishte zënë pisk, sulmuesit t’i kenë thënë atij: Shiko përpara, mos e kthe kryet mbrapa…

Ia matën pulsin kryeprokurorit të shtetit që në të ardhmën të jetë i vëmendshëm, të mos i prek “grerëzat me krande” se mund ta pësoj si është më së keqi.

Si Lumezi, para nëntë vjetësh e pësoi edhe kryeprokurori i atëhershëm i shtetit Hilmi Zhitia. Shtëpinë e këtij të dytit e kishin hallakatur tre të rinj. Këtu morën gjësende të ndryshme, stoli të arit, para, pasaporta… Procesin e këtyre tre të rinjve si gazetar e kam ndjekur në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Gjatë procedurës dëgjimore, të pandehurit pranuan veprimet inkriminuese.

– E pranojmë se kemi vjedhë në atë shpi, por s’e kemi dijtë se ajo asht e kryeprokurorit Zhitia”, kishin deklaruar të pandehurit. Një vërejtje e vockël e tyre doli se prokurori i kishte ngarkuar pak si tepër.  “S’asht e  vërtetë se ia kemi marrë pesëlirshin…”, pati thënë njëri nga ta.

Para shtatë vitesh, një i ri e hallakat shtëpinë ku banonte me qira ish – kryeministri Hashim Thaçi. Prokurori i çështjes, për këtë të ri qëndisi aktakuzën, për të tha: Ai ka pas ndërmend ta vras Thaçin… Shihe ti, ta vras Thaçin në kohën kur ai nuk gjendej në shtëpi ! Për këtë nonsens juridik e kam ngritur zërin me komentin “Kirurgët” e politikës…, të publikuar në gazetën elektronike “Telegrafi.com”.

Mjerisht, e fatkeqësisht, disa prokurorë ende e kanë vesin e së kaluarës, duan të bëhen “interesant”, t’i hyjnë në hatër politikës, për të treguar se organet e ndjekjes janë të efektshme, e ‘godasin krimin’.

Ajo çfarë ndodhi me kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezin, është një ogur i keq.

Edhe berberët, shitësit e specave e patëllxhanëve e të tjerët e dijnë se në rastin konkret, pallatin e Lumezit nuk e “vizituan” hajnat e pulave, por ata të mbitokës.

Hajnat e pulave nuk janë aq budallenj t’i hyjnë kësaj aventure.

Hetuesit e kanë vështirë ta ndriqojnë krimin.

Mbase ky krim që “dridhi” shtetin mund të ngel akt i përsosur, siç do të shpreheshin kriminalistët.

Kur sulmohet “shteti”, çfarë sigurie kanë qytetarët e rëndomtë ?

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë