Shukri Buja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Partinë Ashkalinjëve për Integrim: “Çdo ditë e më afër fitores”

Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka nënshkruar sot marrëveshjen e bashkëpunimit me Partinë Ashkalinjëve për Integrim (PAI), duke e quajtur këtë hap një garanci për një Lipjan më gjithëpërfshirës.

Sipas marrëveshjes, PAI nuk do të garojë me listë të veçantë për Kuvendin Komunal në zgjedhjet e vitit 2025, por do ta mbështesë kandidaturën e Bujës për kryetar të komunës.

“Me këtë marrëveshje, PAI vendos që të mos garojë me listë të veçantë, por të mbështesë kandidaturën time. PDK dhe unë personalisht marrim përsipër që gjatë mandatit katërvjeçar të përfshijmë projektet dhe prioritetet e komunitetit ashkali në të gjitha fushat e kompetencave komunale, si dhe të sigurojmë përfaqësim të drejtë institucional”, deklaroi Buja.

Ai shtoi se ky bashkëpunim është dëshmi e vizionit për një komunë ku çdo komunitet ka zërin dhe vendin e tij në zhvillimin e përbashkët.

“Ky bashkëpunim është garanci për një Lipjan më gjithëpërfshirës, ku çdo komunitet ka zërin dhe vendin e tij në zhvillimin e përbashkët të komunës sonë”, theksoi kandidati i PDK-së.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë